Tani edhe mbrojtja e temës së diplomës po bëhet online. Kështu me studentin Lumi Bytyçi, që po përgatitet të bëjë mbrojtjen e parë të temës së diplomes online, jemi takuar virtualisht disa herë.
Emailat sot janë pjesë e natyrshme e punës së secilës veprimtari, dhe secili nga ne, varësisht nga profesioni merr çdo ditë disa (dhjetëra) emaila. Shumë nga këto emaila janë të parëndësishëm, bile edhe të bezdisshëm. Por si të parandalohet dërgimi i këtyre emailave të bezdisshëm? Kjo është tema që e ka shtjelluar studenti shkëlqyeshëm i fakultetit tonë, Lumi Bytyci në kuadër të temës së diplomës me titull “Detektimi dhe reduktimi i spam emailave me ML dhe hash algoritmet”. Për detektimin e spam emailave Lumi ka përdorur arritjet e fundit nga fusha e Machine Learning (ML) si nënfushë e inteligjencës artificiale (AI) dhe rrjeta neurale artificiale. Ndërsa për reduktimin e dërgimit të spam emailave ka propozuar hash algoritmet, që i njohim nga blockchain teknologjitë, bazuar në konceptin e vërtetësisë së punës (proof of work). Kodi burimor i punimit të diplomës, është në GitHub https://github.com/lumbytyci/spam-filter .
Ndërsa tema në versionin final mund të shkarkohet këtu si pdf.