Kjo koha e pandemisë e ka integruar teknologjinë edhe më shumë në jetën tonë. Mësimi online tani është pjesë përbërëse e çdo familje dhe platforma Zoom duket te jetë si më gjithë popullore, duke fituar përkrahje gjithandej. Shumë nxënës që lidhen me Zoom, nuk e aktivizojnë kamerën, as zërin dhe janë pasiv pothuajse gjatë tërë orës mësimore! Eh, sa mirë do të ishte të kishim një robot që lidhet për ne në Zoom, bisedon me arsimtarin, bile edhe përgjigjet në ndonjë pyetje të parashtruar nga arsimtari 😉!
Pikërisht kjo është tema e studentit të shkëlqyeshëm të fakultetit tonë, Valon Prenaj, me titull: “Zhvillimi i një aplikacioni në Android për simulimin e prezencës në takime online duke përdorur teknikat e ML”. Si platformë online Valoni ka zgjedhur platformën Zoom, nga edhe e ka marrë “Software Development Kit” (SDK), të cilën e ka instaluar në Android Studio. Më tutje Valoni ka përdorur arritjet e fundit nga fusha e Machine Learning (ML) si nën fushë e inteligjencës artificiale (AI) dhe rrjeta neurale artificiale, ku algoritmin e mësimit e ka implementuar ne tri shtresa. Algoritmi është trajnuar me shënime nga lënda “Siguria e të dhënave” dhe lënda Historia e klasës së 9, duke mundësuar kështu simulimin e bisedës e komunikimin përmes tekstit. Aplikacioni (roboti softuerik) tani është gati dhe është titulluar “ZoomBot”, dhe mund të shkarkohet falas nga Google Play Store në këtë link: https://play.google.com/store/apps/details?id=com.nox.zoombot .